PARATHËNIA – MOS I FALNI VRASËSIT!

Ndër këto ditë të zhurmshme, kur thuajse çdo orë e çdo minutë botohen libra, revista, buletine e gazeta, kur në çdo kënd vërshojnë lajme, ese, intervista, reportazhe, deklarata, komukata, prokllamata, madata (midis shiritave të zinj), kontrata, ankande bashkëjetese, ankande pronash, hotelesh, fejesash, martesash. Ankande automobilësh, mobilesh, bezhdilesh e fosilesh politike. Ndër këto ditë të pluhurosua, të tymosura, të dyllosura, të ballsamosura e të murosura. Ndër këto ditë të murme e monotone, ku ta thajnë fytin smogu, zagushia e mërzia. Recetat e vjetëruara. Barnat e skaduara, që i blejnë pacientët mjeranë. Orët e minutat e linçuara, në një Dushk-Parlament. Vite të harxhuara kotmëkot! Ndër këto ditë të ngarkuara e të stërngarkuara me mesazhe e sinjale interneti e zilka celularësh. Kur lëvrijnë çdo sekondë veturat, trenat, anijet, avionët. Kur bubullojnë dhjetëra herë në ditë kambanat, ndërsa peshkopët e kardinalët merren me biznes e pedofili. Kur 24 orë në ditë, nga ekranet e vegjël, ta zënë reklamat frymën. Markat e fundit të veturave. Markat e fundit të urave „globale“. Fytyrat e futbollistëve që duan të shiten, të rishiten e stërshiten. Markat e fundit të çokollatave, të topmodeleve, të antenave, të çorapeve, sytjenave, sandaleve, papagallëve, enëve, maceve, mendallave (që bëjnë politikë botërore), kristaleve, gerdallave, karnavaleve, homoseksualëve, skandaleve! Reklamat janë zhurmueset e kambanat më të bezdisshme e më të lemerishme.

Ndër këto kohë kaq kryesëprapi! Ndër këto kohë ku ngatërrohen shijet, fijet e hafijet e panumurta. Ku ngatërrohen midis tyre të thjeshtat me të ndërlikuarat, të ulëtat me madhështoret, heronjtë, betejat, komandantët, gjeneralët, legenhanët, sharlatanët, rrufjanët. Libri i Shefqet Jasharit Strofcit vjen për të thënë fjalën e vet, fjalë që i hedh rrënjët si shkëmbinjtë që kanë mbirë në këtë tokë të Kosovës të ujitur me gjak. Fjala e Shefqet Jasharit Strofcit është një shkëmb që zë vend e nuk e luan dot kush në trojet e Kosovës dhe në krejt hapësirën Shqiptare, prej nga i merr ngjarjet, mbresat, portretet autori. Shkëmbi me rrënjë që mban autorësinë e Shefqet Jasharit Strofcit e ndjen veten natyrshëm në peizazhin tragjik të Kosovës martire. Sekreti i shkrimit të Shefqet Jasharit Strofcit qëndron në faktin. Ai e vendos faktin në vendin e duhur, pa ia shkundur pluhurin e pa ia gërryer baltën. Pa ia fshirë ngjyrën, pa ia fshehur moshën, pa ia prekur tërësinë gjenealogjike. Faktet në librin e autorit nuk kanë grada, nuk zënë radhë sipas ndonjë hierarkie të porositur apo të komanduar nga dikush tjetër përveç realitetit të imponuar në vetëdijen e autorit.

Për autorin Shefqet Jashari Strofci FAKTI është i pashfronëzueshëm. Madhëria e Tij Mbreti FAKT. I paprekshëm. Është një copëz tempulli apo vetë tempulli. Tempulli i Madhërueshëm FAKT. “Jo kurrë! Kështu, duke i qëndruar besnik Kosovës martire dhe martirëve të Kosovës, autori saktëson pa ndërprerë faktet e njohura, si arkeolog pedant, ashtu sjell vazhdimisht lëndë e fakte të panjohura. Ai ka vetëm tre-katër vjet që është shfaqur përpara lexuesve. Por ai ka mbi 50 vjet që e shfleton realitetin e Kosovës, prej sot e deri në kohët IliroDardane, nëpër Kosovë e nëpër Diasporë, parreshtur. Mbi 50 vjet që kërkon, gërmon, zbulon, shpalos. Shënon papushim ngjarje të hidhura që janë ngulitur në ashtin e shpirtit e të ndërgjegjes së kombit. Ekspedita çetnike në Drenicë, Masakra e Tivarit, Qëndresa e masakrimi i familjes Jashari, Reçaku. Por esetë e autorit, përveç vlerave historike e publicistike, kanë vlera të veçanta në portretizimin e martirëve. Tiparet e protreteve të martirëve, të dhënat, hollësitë rreth këtyre portreteve mbeten përjetësisht të gdhendura në shpirtin e lexuesit. Sikurse edhe konkluzioni i librit për martirët. “Kosovë nuk i kanë munguar kurrë as trimat as të urtët.”

Libri përshkohet fund e krye nga një pikëpyetje që herë- herë kthehet në ankth: “Ku janë vrasësit?” Mirë, të vrarët i kemi para syve, thotë ai. Bile mund t’ua numërojmë edhe plagët. Edhe plumbat e plagëve. Po vrasësit, « argatët e ndyrë », siç përsërit ai shpesh, ku fshihen! Kjo pyetje gërryese ka ngelur si gozhdë në ashtin kombëtar e në ndërgjegjen e kombit. Sepse pothuaj të gjitha vrasjet e shqiptarëve më në zë janë kryer prapa shpine, janë kryer nëpër prita, shqiptarët më në zë janë korrur e grirë nga detektivët e UDB-së, nga serbët e Kosovës të importuar nga Serbia, nga « argatët shqipfolës » të serbëve. Vrasësve nuk ia ka hyrë gjemb në këmbë, as para luftës, as pas luftës. Madje ata shëtisin të lirë sot në Kosovë, vazhdojnë veprën e tyre sipas porosive të Beogradit, vrasin, terrorizojnë. Në të gjitha krimet që Serbia dhe serbët kanë kryer kundër shqiptarëve, konkludon autori, kanë gisht edhe PKSH-ja (më vonë PPSH-ja dhe sot PSSH-ja), kjo kolonë e pestë agjenturore « internacionaliste » antishqiptare në shërbim të sllavo-ortodoksizmit e strategjisë së elaboratëve të Graçaninit e akademikëve serbë. Ripushtimi i Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, masakrimi barbar i 60 mijë Shqiptarëve nga çetnikët serbë e nga bandat e Mihajlloviçit, pastaj nga partizanët e Titos është bërë pikërisht me mbështetjen logjistike të divizioneve që vinin nga Shqipëria e në shumë raste përpar syve të partizanëve shqiptarë ose e shoqëruar nga këngë e marshe partizane shqiptare. Masakra e Tivarit, me 12 mijë martirë, të gjithë nën moshën 20-vjeçare është një vepër e përbashkët e Tiranës dhe Beogradit. Një anëtar i Byrosë Politike të PKSH-së, kur i është raportuar gjëma e Tivarit, ka thënë: « Mirë ua bënë ! Ishin ballistë, që të gjithë. » Ata ishin pothuaj fëmijë, e kanë sqaruar anëtarin e Byrosë. « Pse kujtoni se për 12 mijë kosovarë ballistë të fëlliqur do të sakfrifikojmë ne shokun Tito dhe Jugosllavinë komuniste, » ua ka kthyer me zemërim ai. Ky bashkëpunim e bashkëveprim midis serbëve dhe komunistëve me origjinë shqiptare, që ka vazhduar pa ndërprerje, pavarësisht « prishjeve » midis Tiranës e Beogradit, mbetet një nga shqetësimet më të mëdha që sjell autori Shefqet Jashari-Strofci në faqet e këtij libri.

Sado të gërmoni nëpër arkivat shqiptare apo të huaja nuk do të gjeni asnjë telegram, asnjë radiogram, ankese, proteste, apo qoftë çfarëdo komunikimi midis komunistësh, komisarësh apo luftëtarësh partizanë ku serbëve t’ju jenë shtruar pyetjet: Pse po e vrisni Kosovën ? Ç’ndryshim ka midis bëmave të bandave të Drajzhe Mihajlloviçit dhe bëmave të brigadave tuaja partizane ? Prandaj e derdhëm gjakun për çlirimin e Jugosllavisë deri në Suhagorë që të kryeni masakra si ajo e Tivarit e t’i mbushni burgjet me shqiptarët e Kosovës ? Duke vështruar ngjarjet, figurat, martirët, fatin e tyre nëpër faqet e librit, lexuesi arrin në përfundimin se i njëjti mekanizëm, e njëjta dorë ka vepruar pavarësisht kohës dhe hapësirës në të cilën janë realizuar ato.

Dy vjet para se të vdiste, shkrimtari i mirënjohur Petro Marko, i rrëfente gazetës « Kosova » sesi, pikërisht në kuadrin e një mekanizmi të tillë, fati i Bedri Pejanit kishte rënë në duart e Hysni Kapos. Nëpërmjet një miku shkodran, ku ishte strehuar, Bedri Pejani, lideri i Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit, politikani e publicisti i shquar, ishte lidhur me Petro Markon që ky ta ndërmjetësonte te Hysni Kapo që Bedri Pejani të dorëzohej në besë te komunistët me të vetmin kusht: që këta të mos e dorëzonin te serbët, te shkijet, siç kishte thënë ai. Disa orë pasi ishte dorëzuar në besë, Hysni Kapo e kishte dorëzuar në duart e UDB-së dhe Bedri Pejani, burri i shquar i Kosovës, i moshuar në atë kohë, kishte vdekur në burgjet serbe. Petro Marko e ka treguar këtë ngjarje në vitet e fundit të jetës së tij si një nga pengjet më të mëdha të jetës. Komunistët, pra, kishin besë me Beogradin, me serbët e s’kishte si të kishin besë me Kosovën, me shqiptarët.

Këtë besë me Beogradin dhe serbët, komunistët e mbajtën gjithmonë. Nga plot të dhëna të vërtetuara e të dokumentuara del se edhe pas « letrave të Informbyrosë” e shkëputjes së PKSH e Shqipërisë nga Jugosllavia, lidhjet agjenturore kanë vazhduar pa ndërprerje. (Mos u çuditni : ato vazhdojnë edhe sot !) Pak kohë para “letrave shpëtimtare”, siç janë quajtur në atë kohë, Qemal Agolli, shkon në KQ të PKSH dhe raporton se shqiptarët në Kosovë e në Maqedoni po torturohen e masakrohen barbarisht nga serbët. Dhe « se ne ish-partizanëve e ish-komisarëve, nga vjen turp që të ndeshemi me sytë e njerëzve nëpër rrugë ». Kur kthehet nga Tirana, me të shkelur në Beograd, një shoku i vet ia tregon një radiogram që e kishte marrë nga Sigurimi i Shqipërisë, ku ai personalisht dhe vëllai i tij damkoseshin si « nacionalistë të tërbuar ». Qemal Agolli e Nexhat Agolli burgosen në Idrizovë. Nexhati vdes në qeli, ndërsa Qemali dënohet me 14 vjet burg në Goli Otok ! Pas kryerjes së dënimit, Qemali lejohet të vijë në Shqipëri, por Sigurimi i Shqipërisë, natyrisht me porosi të UDB-së, e ndalon të kthehet në shtëpinë e vet në Tiranë dhe e internon në Sarandë.

Por radiogramet, informacionet me shifër e pa shifër që denonconin me qindra e me mijëra shqiptarë nuk pushojnë. Falë këtyre shkëmbimeve të informacionit midis Sigurimit dhe UDB-së Idrizova, Dubrava, Sremi, Mitrovica, me një fjalë të gjitha burgjet e Jugosllavisë mbushen me shqiptarë të Kosovës, ashtu si edhe Spaçi, Bulqiza, Burreli, Cerriku etj. të Shqipërisë. Falë këtyre shkëmbimeve të frytshme midis Tiranës e Beogradit hekurat e burgjeve, në të dy shtetet fqinje, mbetën krahëhapur për shqiptarët e Kosovës. Në Jugosllavi shqiptarët e Kosovës akuzoheshin si «nacionalistë”, “irredentistë”, “enveristë”, “terroristë”, “fashistë”, “ballistë” etj. etj., ndërsa në Shqipëri linin kockat nëpër burgje si « titistë », revizionistë », « ballistë », « nacionalistë », « spiunë të UDB-së » etj. etj.

Në këtë vijimësi, duke ardhur deri në ditët e sotme, nuk mund të mos shtrohet pyetjet: Kush e vrau 23-vjeçarin Ali Uka, gazetarin e guximshëm, zëdhënësin e parë zyrtar të UÇK-së ? A ka gisht në këtë vrasje shërbimi sekret serb ? Po SHIK-u i Fatos Klosit? Cili ka qenë roli i shërbimit sekret serb në këtë vrasje dhe cili ka qenë rolo i SHIK-ut? Në ç’shkallë ka qenë bashkëpunimi midis tyre për ta realizuar këtë masakër mu në mes të Tiranës? Shefqet Jashari Strofci, përveç aftësisë që ka për të sjellë fakte të pafundme, ia arrin që këto fakte t’i nxjerrë në dritë të diellit, duke mos iu lënë asnjë rrugëdalje vrasësve. Në qoftë se SHIK-u nuk ishte ortak në krim, pse nuk e ndaloi, pse e liroi nga burgu vrasësin e dyshuar dhe pse e pezulloi tërësisht hetimin e çështjes? Dhe pyetjet që shtron libri nuk kanë mbarim: Pse brenda disa muajve në Tiranë, pikërisht në mes të Tiranës, u kryen tri vrasje mizore që e qëllonin Kosovën në lule të ballit: ekzekutimi i Azem Hajdarit (me triparet burrërore të Azem Galicës së ri), kolonel Ahmet Krasniqit, ministër i Mbrojtjes (në kulmin e luftës) dhe djaloshin sypatrembur Ali Uka, i thirrur shpesh altoparlanti i UÇK-së? Në qoftë se nuk ka marrë pjesë SHIK-u në këto krime monstruoze, atëherë sa milionë dollarë kanë marrë spiunët e SHIK-ut, qeveritarët e Shqipërisë për krijimin e kushteve të komoditetit maksimal në kryerjen e këtyre vrasjeve?

Nga këto që shtron libri lexuesve iu lindin domosdo një sërë pyetjesh të ligjshme: Pse detektivët serbë e Zgjedhin Shqipërinë Amë (në kufijtë e Londrës) dhe kryeqytetin e saj si shesh ekzekutimesh dhe si qendër komode për “larje hesapesh”. Kemi të bëjmë me një rastësi, me një mirëkuptim intuitiv apo me një marrëveshje bashkëpunimi e “kooperimi” të gjatë dhjetëravjeçarë midis UDB-së dhe Sigurimit të Shqipërisë, falë të cilit janë vrarë me mijëra të pafajshëm në të dy anët e kufirit? Autori i librit pohon në një esè se Zahir Pajaziti, një nga figurat më të ndritura të fundshekullit që iku, u vra vetë i tretë vetëm disa orë pasi qe kthyer nga Shqipëria. Prandaj në libër arrihet në konkluzionin e drejtë se fijet e rrjetës së merimangës midis Tiranës dhe Beogradit janë të endura, të tjerrura e të sofistikuara me kujdes e kultivuar nga Tirana e Beogradi deri në labirintet më të imta e më të thella. Autori vëren se këto fije misterioze që ua shtrëngojnë fytin shumë prej shqiptarëve, ai i ka parë edhe në 17 janarin e vitit 1982, atë ditë të zezë kur u vranë vëllezërit Isuf Gërvalla e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Po ato i ka parë edhe në vitet e mëvonshme pa ndërprerë të kenë korrur e kositur figurat më të ndritura kombëtare.

Të gjitha këto tragjedi të pashoqe kanë krijuar një plagë të madhe në trupin e shpirtin e kombit tonë, plagë që në vend të shërohet, vetëm sa vjen e rritet dhe pezmatohet. Sado therëse të jenë plagët, sado të rënda të jenë traumat e sado të dhimbshme, i shëron koha, siç kanë thënë të urtët. Ndoshta mund të jetë edhe kështu. Po a thua do të ndodhte kjo spontanisht, pra vetvetiu, pa u kujdesur askush, pa çarë kokën askush, pa përdorur asnjë mjet shërues, pa treguar askush vëmendje apo përkushtim? Ndoshta, po të kishte pasur një Nuremberg edhe për atë që bëri Serbia në Kosovë, po të ishin treguar me gisht fytyrat e vrasësve, po të ishin dhënë me emër, mbiemër, numër e kod agjenturial vrasësit, po të ishin damkosur dhe vulosur spiunët, punëdhënësit e ideatorët e tyre, pra po të ishin shkulur një më një rrënjët e së keqes, po të kishte vepruar ligji, drejtësia e urtësia, po të mos ishte shpallur e harruar dhe e falur tragjedia makabre që u krye në Kosovë. Duke mos ndodhur Nurembergu, atëherë ndodh e kundërta. Në Kosovë tani nuk qajnë prindërit dhe të afërmit e të vrarëve, por vrasësit, nuk ankohen viktimat, por xhelatët. Në emër të bizneseve të tyre dhe të interesave të tjera të tyre, një kope diabolike e satanike, janë gati që t’i djegin sërish kockat e viktimave, madje edhe t’i bluajnë ato në mokrat e mullirit, duke iu thirrur viktimave: “Qofshi të mallkuar! Ju i prodhuat vrasësit!” Vazhdojnë ata në këtë mënyrë sipas parimit të tyre të përmbysur se “po të mos ishin viktimat nuk do të ishin vrasësit”. Pra, sipas filozofisë së xhelatëve, fajin për varrezat masive, për Reçakun, Krushën e Madhe, Rahovecin, Gjakovën, këto Srebrenica të Kosovës e kanë ata që janë varrosur atje, madje edhe për së gjalli, mijëra foshnjat, pleqtë, gratë, invalidët, civilët e paarmatosur. Janë, ata, pra që e kanë prodhuar xhelatin!!!

Pikërisht kësaj stërtragjedie, që synon të harrohen të gjitha tragjeditë e tjera që ka kaluar Kosova i kundërvihet me librin e tij Shefqet Jashari Strofci. Duke bërë objekt të tij përvojën e 60 viteve të fundit e sidomos të njëzet viteve të fundit të shekullit që shkoi, libri ngul këmbë se vrasësit, hafijet, tëra mekanizmat e tjera vrastare duhet të zbulohen e të shkatërrohen patjetër. Vrasësit dhe fijet e tyre misterioze të merimangës sllavoortodokse duhet të dalin në shesh, t’iu hiqen të gjitha maskat, sado të kamufluara të jenë ato. Përndryshe, sipas librit, vrasjet që prapa ferrave, te pragu i shtëpive, në rrugë pas shpine nuk do të reshtin kurrë. Libri thotë se janë të njëjtat këto fije që kanë endur vrasjen e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës, që kanë vrarë Azem Hajdarin e Ahmet Krasniqin, që kanë vrarë Fehmi Aganin, Latif Berishën, Bajram Kelmendin, që kanë vrarë Ali Ukën, Enver Malokun, Ekrem Rexhën, Shaban Manajn, që kanë plagosur Sabri Hamitin, që kanë vrarë Agim Ramadanin e Sali Çekun. A nuk janë kryer të gjitha këto vrasje sipas numrit rendor të listave të zeza! A nuk tregon kjo se vrasësit, gjashtëdhjetë vjet rresht nuk janë penduar kurrë dhe nuk e kanë ndërprerë kurrë veprën e tyre vrastare? “Ka vetëm një mjet: zbulimi, çrrënjosja dhe djegia e asgjësimi total i këtyre fijeve të nemuna. Dyllosja, vulosja e damkosja e këtyre vrasësve. Vënia e tyre në bankën e të akuzuarit, cilëtdo qofshin. Gjykimi e mallkimi i paprapsueshëm dhe i patjetërsueshëm.” “Përndryshe, thekson autori, do të përsëritet sërish çdo gjë”. Autori vëren plot hidhërim: “Fara e keqe e gramit prodhon e do të prodhojë gram pareshtur”. “Gjarpërinjtë do të na ngatërrohen nëpër këmbë duke tundur bishtat e zinj nëpër listat e zeza”. “Në qoftë se nuk do të zbulohen vrasësit e krimet e që ata kanë kryer, atëherë vrasjet nuk do të prajnë kurrë! Nga gjenerata në gjeneratë”.

Megjithë dashurinë, deri në kult, që ka për vëllezërit Gërvalla, autori nuk është dakord me porosinë në formë testamenti, që ia la gruas së vet, Suzanës, Isuf Gërvalla: “Po qe vrasësi im shqiptar, kurrë mos u zbuloftë emri i tij”. Shefqet Jashari Strofci shikon te Isuf Gërvalla Poetin, Atdhetarin, Militantin, shikon mitin e qëndresës Shqiptare, ai e shikon atë si njëri të pakrahasueshëm, por nuk është dakord me testamentin e tij, ndonëse ai e ka shkruar atë me gjakun e tij. “Vrasësit duhet të zbulohen e të damkosen patjetër. Çfarëdo kombësie e çfarëdo ngjyre të kenë”. “E ca më tepër kur janë të kombësisë shqiptare”. “Përndryshe”, vijon autori,” “prita, si një gijotinë makabre do të jetë përherë në veprim e përherë e mbuluar me gjak të freskët”. Autori duke buzëqeshur hidhur ndaj këtij përbindëshi të verbër që nuk ngopet me krime në Kosovë, shton: “E, pasi ka ngrënë gjyshërit e etërit, do t’iu turret bijve, nipave dhe stërnipave!” Prandaj, Shefqet Jashari Strofcit, në çdo kapitull të librit të tij, në çdo faqe, në çdo rresht, të shkruar e të pashkruar, na thërret: “Mos i falni vrasësit!”

Nga pikëpamja gjinore libri i Shefqet Jashari Strofcit i përket publicistikës. Por publicistika e Shefqetit është publicistikë e dokumentit, pra gjithnjë tenton drejt letërsisë dokumentare. Autori i librit ka kultin e faktit, kultin e dëshmisë, kultin e dokumentit. Ai shkruan vetëm mbi bazën e njohjes së afërt, njohjes së besueshme, asaj njohjeje që e bën atë dëshmitar për njerëzit dhe ngjarjet e kohës së vet. Në një rast, autori, duke folur për njërin nga personazhet e tij më të dashur, thotë se do të duhej talenti i shkrimtarit, do të duheshin romane të tëra për të portretizuar madhështinë e personazhit të tij historik. Në fakt, shkrimet e Shefqet Jasharit Strofcit shpesh janë në vetvete romane, pa çka se romane ku personazhet janë me emrat dhe mbiemrat e tyre të vërtetë, pa çka se romane, pra, me personazhe historikë. Si në romanet e dokumentit, autori vë në shkrimet e tij një mori versionesh rreth ngjarjeve, dukurive dhe personazheve të tij, ku, natyrisht, fiton ai version në anën e të cilit janë faktet më kokëforta, në anën e të cilit është e vërteta. Stili letrar i shkrimeve ka tipar kryesor sigurinë e autorit për atë që shkruan, çka tregon se ai shkruan rreth atyre temave për të cilat ka njohje të plotë dhe të thellë. Çka tregon se autori nuk është nga ata që i bazojnë shkrimet e tyre në hamendjet, në supozimet, në të thënat e stërthënat, por vetëm në të vërtetat. Kjo bën që një logjikë e fortë dhe e shëndoshë, një logjikë e pakundërshtueshme t’i përshkojë shkrimet e tij. Ky është tipari tjetër thelbësor i shkrimeve të Shefqet Jasharit Strofcit. Pikërisht ky stil i shkrimit bën që publicistika e autorit të jetë e papolemizueshme. Askush, me dy para mend, nuk e merr dot penën që t’iu kundërvihet atyre që shkruan Shefqet Jashari Strofci. Ndonëse shkrimet e tij nuk kanë natyrë shteruese, për aq sa ato e kanë objektin e tyre, vihet re se autori në ato çka thotë me sukses ia del të verë pikën mbi i.

Në pajtim të plotë me stilin e autorit është përdorimi tejet i dendur i emrave të përveçëm, sidomos i emrave të përveçëm të njerëzve, çka flet në të mirë të argumentit se Shefqet Jashari Strofci bën publicistikë të adresuar, madje saktësisht të adresuar. Për më tepër asnjë nga emrat e përveçëm nuk është emër listash të rëndomta, çdo emër i përveçëm përmban në vetvete emocione të caktuara, ndjenja të caktuara, ngarkesa të caktuara pozitive apo negative të cilat i përjeton thellësisht lexuesi. Kjo është një dhunti tjetër e rrallë e publicistikës së Shefqet Jashari Strofcit.

Pikërisht kulti i fakti, kulti i së vërtetës dhe i së drejtës ka përcaktuar që pjesa më e madhe e shkrimeve të këtij libri dhe, në përgjithësi, e krijimeve publicistike të tij të jenë botuar tek gazeta kombëtare “Bota sot”. Gazeta më e madhe shqiptare e ka gjetur veten te bashkëpunëtori i saj i sukesshëm Shefqet Jashari Strofci, aq sa edhe Shefqet Jashari Strofci e ka gjetur veten plotësisht tek kjo gazetë, pra tek gazeta “Bota sot”.

Në stilin dokumentar është karakteristikë shpesh është mungesa e patosit, e dinamikës. Përkundrazi, në shkrimet e Shefqet Jashari Strofcit, patosi, dinamika janë karakteristika të veçanta që jo vetëm nuk e zbehin por edhe e fuqizojnë vlerën e fakteve. Lexuesi e ka të lehtë ta kuptojë se personazhin më përzemër autori e ka Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës Ahmet Krasniqin. Kjo anësi e autorit vjen nga fakti se ai dhe Ahmet Krasniqi kanë qenë shokë intimë që në fëmijëri, se miqësia e tyre ka lindur nëpërmjet miqësisë familjare dhe është forcuar nëpërmjet miqësisë së idealeve nacionaliste për Kosovën e lirë dhe për Shqipërinë Etnike të bashkuar. Autori veçanërisht ndjen borxh për Ahmet Krasniqin të ta mbrojë ndaj sulmeve të liga e shpifëse me anë të cilave armiqtë e Kosovës dhe të Shqiptarisë ia përgatitën vdekjen heroit. Autori e ndjen këtë borxh sidomos nga fakti që Ahmet Krasniqi, kur ishte gjallë, nuk i kishte kushtuar kurrë rëndësi këtij aspekti, ndërsa më vonë, për së vdekuri, nuk mund ta mbronte dot më veten. Ahmet Krasniqi ishte një njeri që kishte përparësi të tilla si krijimin e UÇK-së si ushtrinë e Republikës së Kosovës, si ushtrinë më të fuqishme në Ballkan, prandaj ai, duke pasur përparësi të kësaj natyre, të cilat shpesh ia nënvizon autori, natyrisht, asnjëherë nuk do të gjente kohë t’iu përgjigjej sulmeve shpifëse, intrigave dhe pabesive. Ia kujtojmë lexuesit se autori ka propozuar që shtatorja e Ahmet Krasniqit të lartohet madhështore në Kosovë. Dhe, natyrisht, skulptorët dhe arkitektët, kur ta ndërtojnë shtatoren, kur ta rikthejnë të përjetësuar në bronx heroin Ahmet Krasniqi në gjirin e Lokes Kosovë, gjithsesi do ta kenë për bazë edhe shtatoren e madhërishme që ia ka ngritur Shefqet Jashari Strofci në librin e tij.

VEHBI SKËNDERI

Loading